Sie sind auf Seite 1von 2

Në sytë e kryediplomates evropiane

Në Shqipëri kuptohet domethënia e BE-së

Federica Mogherini*

Jo vetëm procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe procesi për
përfshirjen e krejt Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, nuk është një nder që ua
bëjmë, por një çështje jetike për vetë Bashkimin. E di se kohëve të fundit ne flasim
shumë për përpjekjet gjeostrategjike e gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se
shumicën e kohës me miqtë e mi e shfrytëzoj duke vizituar Ballkanin Perëndimor. Nuk ka
javë që të mos takohemi me ndonjërin prej gjashtë partnerëve tanë në Ballkanin
Perëndimor. Është mbase i vetmi kënd në botë ku vetëm Bashkimi Evropian mund ta sjell
ndryshimin e njëmendët. Por a duam ta ushtrojmë këtë fuqi? Kjo është çështja që shtrohet
çdo ditë në tavolinën time. Dhe mendoj se kjo është çështja që do të shtrohet gjatë
muajve në vijim edhe në Parlament, në Këshill dhe në Komision. Kjo është mundësia
jonë e parë, si brez, që të kemi një proces integrimi pas gjithë atyre valëve të ndryshme
që ne i quajmë rëndom si «zgjerim». Unë nuk e pëlqej këtë fjalë për shkak se
hamendëson sikur është një qendër që po bëhet e stërmadhe, por unë besoj se është fjala
vetëm për ribashkimin e kontinentit tonë. Por është vala e parë e integrimit të Bashkimit
Evropian që zanafillon në ADN-në e historisë së Bashkimit: paqe dhe pajtim. Nuk është
vetëm për ekonominë apo vetëm për sigurinë, nuk është as për sfera ndikimi, sa është për
sjelljen dhe forcimin e paqes dhe pajtimit në një rajon i cili pak dekada më parë, sikundër
është mbamendja e brezit tim, madje më të vjetrit e mbajnë mend edhe më mirë, ishte në
luftë dhe i shkëputur nga bota. Pra a është fjala për ADN-në e Bashkimit? A jemi të zot të
konsolidojmë jo vetëm sigurinë e zhvillimin ekonomik, por edhe paqen e pajtimin në
kontinentin tonë? Ma merr mendja se jo vetëm që mundemi, por ne duhet ta bëjmë
doemos se është në interesin e vetë Bashkimit Evropian dhe qytetarëve të tij. A do ta
bëjmë nesër? Do të jetë një proces bukur i gjatë. Edi e tha mjaft mirë: «ende jo gati». Por
lejomëni ta them shkoqur: unë shoh në Ballkanin Perëndimor, shoh në Shqipëri, meqë po
flasim për të tani, një vendosmëri, përkushtim, një ndjesi të të qenurit evropian që shkon
përtej garës së këndimit në Evrovizion. Dhe kjo është një dëshirë, një aspiratë, një
identitet si evropian dhe si pretendentë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Neve në
Bashkim na nevojitet kjo energji. Na duhen njerëz, qytetarë, institucione, politikanë e
parti politike që thonë me të madhe: «Ne duam të bëhemi pjesë. Kemi nevojë për këtë».
Pikërisht kjo na duhet edhe për shkak të trendeve politike në Evropë. Besoj se neve na
duhet kjo lloj energjie, kjo energji proevropiane brenda Bashkimit për të na ndërmendur
se çfarë është kjo, ngase nganjëherë ju që jeni jashtë e kuptoni më mirë sesa nga brenda.
Ne kemi nevojë për këtë. Gjatë këtyre viteve, kam parë në Shqipëri të bëhen gjëra të
pabesueshme. Edi foli për reformën në drejtësi. Mirë, ne e kemi përcjellur atë në Bruksel,
çdo ditë të mundshme, madje jo vetëm ne, por shumica prej nesh. Është e vërtetë se kemi
punuar bashkërisht dhe kemi arritur rezultate, për shkak se punuam tok jo vetëm për këtë,
por edhe për gjëra të tjera. Nuk po e them vetëm pse Dimitri është këtu, por Shqipëria jo
vetëm që është aleate e NATO-s, por është vendi, që bashkë me Malin e Zi, është i lidhur
njëqind për qind me politikën tonë të jashtme të sigurisë, gjë që nuk është pak. Kjo do të
thotë që, nga Lindja e Mesme e deri në Afrikë, Kore, Rusi, ne jemi njëqind për qind në të
njëjtin krah kur bëhet fjalë për votime në organizata ndërkombëtare, kur bëhet fjalë, për
shembull, për faktin se Shqipëria po kontribuon në dy nga misionet ushtarake të
Bashkimit Evropian, njërin në Mali dhe tjetrin në Bosnjë e Hercegovinë. Ne po bëjmë
gjëra së bashku, dhe ju them që në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë, ky është një
shembull i vërtetë. Ne jemi në prag të arritjes së marrëveshjes mes Shqipërisë dhe
Frontex-it, si e para e këtij lloji në rajon. Këto janë veçse shembuj të mirë të atyre gjërave
që kanë ecur për së mbari. Mund të vazhdoj edhe tutje, për shkak se ka shumë fusha ku
janë bërë reforma të mëdha, por po mjaftohem vetëm me dy elemente: politika e jashtme
dhe e sigurisë dhe puna që keni bërë në reformën e drejtësisë. Besoj se është mjaftueshëm
e qartë, sikundër e tha edhe Edi, që ju i shihni problemet që mbeten ende dhe e dini se ky
do të jetë një proces. Nuk është thjesht një mbushje e katrorëve që do të përfundonte me
aq. Është proces. Sistemi i vetingut: ju keni hyrë në një periudhë që tashmë po jep fryte.
E dini se proces është edhe lufta kundër krimit të organizuar, që është një luftë e shumë
vendeve, përfshirë edhe disa vende anëtare. Cila është qasja e drejtë kundrejt këtyre
problemeve? Së pari, ju duhet të pranoni që ka probleme. Së dyti, duhet të punoni
bashkërisht për t’i zgjidhur ato, për të korrur rezultate dhe për t’i konsoliduar ato. Mendoj
se ky është problemi që kemi në institucionet e BE-së. Është sikur të ngasësh një
biçikletë, ose shkon përpara ose bie. A duam që të ecim tutje? A jemi gati të shkojmë
përpara? Besoj është e drejtë të thuhet se moslëvizja para mund të jetë dëmtuese. Dhe
dështimi i Shqipërisë, apo i Ballkanit Perëndimor, nuk është në interesin e rajonit. Nuk
është madje as në interesin e Bashkimit Evropian. Kjo është fare e qartë për mua. Nga
Ballkani Perëndimor kam kuptuar se gjërat mund të shkojnë mirë shpejt, por edhe të
bëhen keq po kaq shpejt. Dhe kur ngjan diçka e kësillojtë, pastaj bëhet tepër e vështirë
për ta rindërtuar. Besoj që zgjidhja që shtriqet përpara nesh, si institucione, është e qartë:
që të mos humbasim nga duart frytet e sa e sa viteve punë të përbashkët, që ta
konsolidojmë përparimin, pra të mos humbim mundësinë që kemi. Dhe mendoj se tani
është momenti. Po e mbyll duke e thënë atë që e besoj – në çdo rast ky është qëllimi im
politik për këtë tre-katër muajt në vazhdim – e para, që të kemi një rekomandim pozitiv të
Komisionit Evropian mbi Shqipërinë, dhe, së dyti, që Këshilli të vendos në qershor për
hapjen e bisedimeve. Dhe pastaj do të fillojmë.

* Ky fjalim i përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri është bërë
me rastin e diskutimit «Shqipëria: Përkushtimi për Reforma» në Parlamentin Evropian,
të mbajtur me 20 mars të këtij viti në Bruksel.

Das könnte Ihnen auch gefallen